Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka reaguar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale, duke thënë se situata e krijuar ka sjellë sfida të reja për bizneset, të cilat kanë pritur një vendim “të drejtë dhe meritor”, siç e kishte dhënë Shkalla e Parë e kësaj gjykate.
Sipas DhTIK-së, afati i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) deri më 16 gusht për bizneset që të lidhin kontrata për furnizim është “shumë i shkurtër” dhe po shkakton probleme të mëdha për qindra biznese që nuk kanë nënshkruar ende me asnjë kompani të licencuar.
Në reagim thuhet se një numër i madh kompanish janë në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata Komerciale, ku kanë dorëzuar padi kundër këtij procesi, ndërsa të tjerat janë në procedurë të përgatitjes së ankesës edhe në instancat tjera gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, DhTIK njofton se i është drejtuar sërish ZRrE-së me një kërkesë për ta pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë deri në një vendim përfundimtar të instancave gjyqësore.
“E ritheksojmë edhe njëherë se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i qëndron prapa qëndrimit të saj që Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike duhet të pezullohet në tërësi dhe të nisin menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit. Vlerësojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE për ta realizuar Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrikë është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Nga ky hap, rrezikohen shumë vende pune, ulje të kapaciteteve prodhuese, rënie të konkurrueshmërisë në treg dhe mbyllje të bizneseve”, thuhet në reagimin e DhTIK-së.
ZRrE ka paralajmëruar sot bizneset që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale për furnizim me energji elektrike që ta bëjnë këtë deri më 16 gusht të këtij viti.