Dhjetë të lënduar nga shpërthimi në tregun e kafshëve në Prizren

Përgatiti: Sara Shehu

Një person është arrestuar nën dyshimin për hedhjen e një mjeti shpërthyes që lëndoi dhjetë persona në një treg të kafshëve në Prizren.

Rasti ndodhi në mëngjes rreth orës 5. Me të dalë në vend të ngjarjes Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren fillimisht identifikuan tre të dyshuar, por me zhvillimin e hetimeve, Policia njoftoi se dy persona ishin kryes të veprës që u cilësua si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Autoritetet ende janë në kërkim të personit të dytë të dyshuar, ndërkaq të arrestuarit R.M., i lindur në vitin 1982, nga Gjilani, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Sipas Policisë, rasti ndodhi pas një mosmarrëveshjeje mes tregtarëve.

“Rreth orës 4.50, kemi pranu se ka një plagosje në tregun e kafshëve. Njësitë relevante kenë dalë menjëherë, 9 persona kanë marrë plagë si pasojë e hedhjes se granatës, 9 persona fillimisht janë dërgu në trajtim mjekësor për trajtim mjekësor, ndërkohë më vonë edhe një qytetar tjetër ka pësuar lëndime dhe ka marrë trajtim mjekësor. Nga hetimet e para bëhet e ditur se fillimisht këtij rasti i ka paraprirë një zënkë e çastit, pastaj një përleshje, pastaj një nga të dyshuarit ka hedhur granatën”, tha zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

Njëkohësisht, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë, tha shefi i repartit të Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në.

Megjithatë, pesë prej tyre janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

“Bëhet fjalë për pesë pacientë të lënduar nga një mjet plasës, me ç’rast kanë pësuar lëndime dy nga ta në regjionin e qafës, dhe në ekstremitetet e sipërme dhe të poshtme, dy të tjerë kanë pësuar lëndime në regjionin e toraksit dhe në regjionin e ekstremiteteve. Gjendja e tyre e përgjithshme, duke u bazuar në parametrat vitalë është stabile. Njërit pacient i është vendosur dreni torakal, momentalisht është duke u trajtuar në Kirurgjinë Torakale, ndërsa pacienti tjetër tani do të vendoset në Kirurgjinë Torakale, dhe pacientët e tjerë janë më të lehtë dhe sipas të gjitha gjasave do t’i lirojmë në shtëpi pas ekzaminimeve shtesë”, tha Avdush Bajgora, mjek kujdestar në QKUK.

Sipas burimeve të ATV-së, të lënduarit janë nga komuna e Podujevës, ndërkaq motivet janë ende duke u hetuar, njoftoi Policia.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA