Gati dhjetë muaj qw nga licencimi i kompanisë Elektrosever, faturimi i energjisë elektrike nuk ka filluar. Elektrosever, ende nuk ka përmbushur disa prej obligimeve, duke shkelur të gjitha afatet e parapara.
“Në proces janë marrëveshjet komerciale me KEDS për Ofrimin e Shërbimeve në katër komunat veriore, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me ofrimin e qasjes ne nënstacionin e Vallaqit dhe në infrastrukturën e transmetimit (KOSTT) dhe shpërndarjes (KEDS)”, thuhet në shkresën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Pa specifikuar kur, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Kosova do t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim 320 milionë euro për energjinë e papaguar në katër komunat me shumicë serbe në veri.
Edhe pse bëhet fjalë për territorin e Kosovës, sipas Bislimit, reparacioni do kërkohet meqë Serbia ka penguar faturimin dhe inaksimin.
“Energjia e shpenzuar në veri, e cila i është faturuar Qeverisë deri sot, ka një faturë prej 320 milionë euro. E gjithë kjo faturë, në një moment të caktuar do të prezantohet si kërkesë në procesin e repereacioneve ndaj Serbisë”, tha Bislimi.
Teksa njoftoi se kanë marrë një sinjal pozitiv në Bruksel për nisjen e faturimit, Bislimi fajësoi Beogradin për mosnënshkrimin e marrëveshjes komerciale Elektrosever-KEDS, e cila do të mundësonte nisjen e faturimit.
“Për Brukeslin është e qartë se pala Bllokuese është Serbia. Është e qartë arsyeja, sepse marrin energji falas. Përshtypja e z. Lajcak, pas bisedave që ka pasur me z. Vucic, është që shumë shpejtë pritet që Elektrosever të nënshkruaj kontratën e dërguar nga KEDS-i”, theksoi Bislimi.
Bislimi tha se nëse vazhdohet me refuzim, ZRRE-ja mund të detyrohet t’ia tërheqë licencën Elektroseverit. Diçka të tillë nuk përjashtoi as ZRRE-ja.
“Në rast të mos përmbushjes së kërkesave sipas udhërrëfyesit për energji, ZRRE-ja do te ndërmerr te gjitha veprimet ligjore që parashihen në legjislacionin në fuqi”, thuhet në shkresën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Për dhjetë muaj Elektrosever ka nënshkruar marrëveshjen kornizë për aderim në rregullat e tregut në Kosovë, atë mbi detyrimet e balancimit dhe ka marrë kodin e identifikimit të energjisë.
Ndërkaq, përmes BE-së i ka dhënë KEDS-it dhe KOSTT-it një bazë të dhënash për konsumatorët. Vetëm për periudhën Janar-Nëntor 2022, Qeveria pagoi 64 milionë euro për energjinë shpenzuar në katër komunat në veri. /atvlive.tv