Afro 100 biçikleta, nga fundi i muajit mars, do të duhej të ishin në dispozicion të qytetarëve, për të qarkulluar nëpër kryeqytet. Mirëpo, Komuna, e cila planifikoi që për një muaj ta bënte blerjen e tyre, ende nuk e ka realizuar këtë projekt.
“Rimobiliteti në kuadër të shërbimeve publike ka bërë shpallje, një thirrje të tillë, mirëpo herën e parë nuk kemi pasur asnjë ofertues dhe pastaj me automatizëm dhe urgjencë është hapur prapë e me aq sa kam informata, veçse u përmbyll, mirëpo interesimi për to është i vogël”, tha drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Ilir Musliu.
Por ai thotë se projekti, për të cilin Komuna ka ndarë 500 mijë euro do të fillojë së implementuari së shpejti.
“Në momentin që kemi oferta, mundemi me fillu me implementimin. Tash do të jetë komisioni vlerësues, ai që do ta bëjë vlerësimin për ta parë se a kemi oferta të përgjegjshme dhe mendoj që në kohë rekord, këtë vit, do të bëjmë implementimin që të mos vonohen më tepër dhe qytetarët t’i kenë në shfrytëzim biçikletat”, tha Musliu.
Megjithatë, Berat Rakovica nga grupi “Marakli t’biçikletave”, pohon se vonesat në implementimin e projektit, duhet të shfrytëzohen për nxitje të qytetarëve që t’i shmangin makinat dhe t’u kthehen biçikletave.
“Ne si grup edhe këtë vit kemi dështuar edhe në projekte dhe aktivitete për shkak të numrit të vogël të të interesuarve për biçikleta. Do të bëjmë fushata për thirrje në këto aktivitete, derisa të bëhet realizimi i këtij projekti”, tha Rakovica.
Ndryshe, ky projekt në vlerë parashihte edhe ndërtimin e 10 vendstacioneve për biçikleta në kryeqytet. /atvlive.tv