Sërxhan Popoviq, kandidati i tetë i propozuar nga Lista Serbe për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Në votimin e fundit, Popoviq mori vetëm 9 vota pro, të gjitha nga deputetët e partisë së tij, ndërsa pati 49 vota kundër dhe 33 abstenime.
Ky është dështimi i tetë radhazi për Listën Serbe në përpjekjet për të zgjedhur një nënkryetar serb të Kuvendit, duke shtyrë edhe më tej procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë mënyrë, procesi ka hyrë në një fazë të bllokuar, ndërsa ende mbeten vetëm tre kandidatë të tjerë nga Lista Serbe që mund të propozojnë për këtë pozitë.
Kuvendi i Kosovës ka afat 12 ditë për të përfunduar këtë proces, siç kërkohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe dështimet e vazhdueshme po e vështirësojnë përmbylljen e këtij procesi, që është një parakusht për funksionimin e plotë të Kuvendit.