Kontratat njëburimore përbëjnë një nga mekanizmat më të diskutueshëm në fushën e prokurimit publik.
Këto kontrata lejojnë që institucionet shtetërore të lidhin marrëveshje direkte me një operator të vetëm ekonomik, pa zhvilluar procedura të hapura konkurruese.
Për kontratat njëburimore ka ngritur shqetësime deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.
Mustafa për Ekonomia Online thotë se këto kontrata po jepen jashtë procedurave të rregullta të prokurimit publik.
Ai tha se kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku është kërkuar sqarim nga Auditorja e Përgjithshme, pasi problematika nuk është trajtuar në mënyrë të mjaftueshme në raportin vjetor të auditimit.
“Çështja e kontratave njëburimore ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për shkak se ato janë kontrata të cilat i janë dhënë operatorëve ekonomikë pa respektuar procedurat e prokurimit publik, pra janë dhënë kontrata me negocim direkt dhe këtë çështje e kemi shtruar edhe në mbledhjen e fundit të Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku kemi kërkuar sqarime nga auditorja e përgjithshme, sepse kjo problematikë nuk është e shtjelluar më gjerësisht në raportin vjetor të auditimit. Problemi me këto kontrata qëndron në atë se ato do të duhej të jepeshin kur ka situata emergjente apo kur nuk ka mundësi që operatorë të ndryshëm ekonomik t’i ofrojnë ato mallra dhe shërbime por nuk mund të arsyetohen në rastet kur ka operatorë të ndryshëm që mund të ofertojnë dhe mund të konkurrojnë për t’i ofruar ato mallra dhe shërbime. Një problem të ngjashëm edhe me lojërat mesdhetare ku shihet që me këtë projektligj janë anashkaluar procedurat e prokurimit publik ashtu siç e sheh ligji për prokurim publik dhe synohet që të jipet një mandat Qeverisë që të përcaktojë rregulla të veçanta të prokurimit dhe këtu ekziston rreziku që edhe kontratat që jipen për organizimin e lojërave mesdhetare të përfundojnë duke u dhënë me negocim direkt”, ka thënë ai.
Sipas tij Prokuroria duhët t’i hetojë të gjitha rastet në momentin që identifikohen se ka shkelje të ligjit.
“Zgjidhja është që duhet të ketë disiplinë, duhet të ketë respektim të ligjeve dhe në rastet kur ligjet nuk respektohen është përgjegjësi e Prokurorisë që t’i hetojë këto raste dhe në rastet kur identifikohen se ka pasur shkelje të ligjeve drejtësia duhet t’i trajtojë këto raste”, tha Mustafa.
Të martën në Komisionin për Mbikqyrjen e Financave Publike, për kontratat njëburimore ka folur edhe Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, për çka ka pasur diskutime mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.






