Përgatiti: Arian Hajdaraj
Për më shumë se tri orë anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave sërish raportuan para komisionit parlamentar për Administratë Publike dhe Media.
Që në nisje të debatit, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje përmendën shkarkimin e bordit për shkak të kthimit të disa kanaleve në platforma kabllore.
“Askund nuk kam parë një afat se kur duhet shfuqizuar ky vendim. Askush nuk pash në dispozitiv të vendimi që ky vendim është pezullim i përkohshëm. Të gjithë vendi e di se më 3 tetor është atakuar siguria nacionale. Vendimi është asisoj i 3 tetorit, çka ndryshoi? Në vendim nuk ka as afat, as pezullim”, tha deputeti i LV-së, Nijazi Isaku.
Por, kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media, argumentoi duke lexuar rregulloren e cila ua mundëson ndryshimin e vendimit kur ndryshojnë rrethanat.
“KPM më 6 shkurt ka bërë shfuqizim të vendimit të tij të parë, ka pezulluar vendimin e parë. Tani fjala pezullim është nen nga sanksionet që ligji për KPM i jep të drejtë këtij organi që ta vendosë aty ku e sheh të nevojshme. KPM mund të kërkoj pezullimin e një pjese ose gjithë programit e të licencuarit për një periudhë kohore”, tha kryetari i bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti.
Përveç deputetëve të partisë në Qeveri, edhe vet anëtarja e KPM-së e kërkoi hetim të kolegëve të saj për t’u vërtetuar nëse janë ndikuar në vendim.
“Edhe unë do të doja ta di prej dy kolegëve të mi, të nderuarit kryetar edhe kryeshefit se më kë saktësisht janë takuar edhe çka kanë diskutuar. Për këtë arsye edhe kam kërkuar i nderuar kryetar që kur të bëhen takimet me palë të treta, të jemi edhe ne, dikush prej neve bordit dhe jo të jeni vetëm ju sepse kështu ndodhë pastaj. Unë nuk po them që ju keni bërë ndonjë shkelje, kjo duhet të vërtetohet. Mirëpo nëse ka pasur tentativa prej jashtë që ju të ndikoheni në vendimet në të cilat na keni përfshirë edhe neve, atëherë ju e meritoni me të vërtetë që të hetoheni”, deklaroi Luljeta Aliu, anëtare e KPM-së.
Në fund, anëtarë të komisionit parlamentar kërkuan edhe hetim nga prokuroria.
Reagimi i Komisionit parlamentar erdhi pas vendimit të KPS-së që të kthejë në transmetim kanalet e Arena Sport të cilët u ndërprenë meqë në këto kanale ishte glorifikuar sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.
E lidhur me raportimin e së premtes të KPS-së reagoi edhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, duke akuzuar anëtarët e Komisionit për sulm brutal ndaj pavarësisë së KPM-së.