9.9 C
Pristina
E shtunë, 21 Shtator, 2024

Dëmet nga degradimi i dialogut, si pasojë e krizës në veri

Pa dhënë detaje a pa njoftuar ndonjë rezultat, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, pas takimit të së martës me kryeministrin Albin Kurti, tha se ka “mirëkuptim për lëvizje përpara në nevojën për deeskalim”.

Në 40 ditë të tensioneve në veri të Kosovës, me qëllim të asaj që i referohet si “menaxhim i krizës”, Lajcak vizitoi dy herë kryeqytetet e dy shteteve.

Kalimi nga diskutimet e para një viti për marrëveshje ligjërisht obliguese, sipas BE-së për normalizim e sipas SHBA-së për njohje të ndërsjellë, në një dakordim pa nënshkrime dhe tani në menaxhim krize, sipas opinionistëve, dëmton Kosovën.

Teksa një pjesë të fajit ia vë Qeverisë për, siç thotë, fokusim në çështje dytësore e tretësore, profesori Dritëro Arifi thekson se asaj i duhet qasje e re.

“Mund të themi se Qeveria e Kosovës nuk ka objektiva dhe nëse ka objektiva, ato nuk i zbaton apo nuk kërkon t’i realizojë deri në fund. Kjo i bie që Qeveria tash duhet të ndalet të rimendojë, të reflektojë dhe të ripozicionojë veten. Pra, në këtë formë se si po shkon situata, e dëmton vetëm Kosovën si shtet. Duhet të mendohet të kërkohet nga BE-ja një njohje e plotë, duke i zbatuar të gjitha marrëveshjet që i kanë nënshkruar të gjitha Qeveritë dhe që janë zotuar”, tha Arifi.

Teksa përmend masat e BE-së, Arifi thekson se vazhdimi i situatës aktuale mund të izolojë dhe defaktorizojë Kosovën.

“Çka bën pala tjetër, nuk duhet të na interesojë, sepse ne e kemi raportin tonë me BE-në dhe SHBA-në, në këtë formë mund të dalim fitues”, tha Arifi.

Teksa situatën e lidh edhe me qasjen e Bashkimit Evropian, profesori Seb Bytyçi vlerëson se kthimi te dialogu për normalizim mund të bëhet nëse arrihet pajtim për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes bazë.

“Kemi një situatë ku Kosova insiston që të dyja palët ta zbatojnë marrëveshjen në të njëjtën kohë. Kurse kemi parë presion vetëm mbi Kosovën për ta zbatuar marrëveshjen dhe kjo është qasja e gabuar e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo duhet të ndryshojë, që të arrihet një pajtim për zbatimin e marrëveshjes dhe në bazë të saj mund të parandalohen krizat të tjera”, tha Bytyçi.

Që nga nisja e tensioneve, më 26 Maj, BE-ja nuk ka arritur të organizojë takim direkt ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

Takimet e ndara të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vucicin, më 22 Qershor, nuk prodhuan rezultatin e kërkuar. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA