Komisioni për Arsim ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin pёr Rini. Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut, të rinjtë që morën pjesë në këtë dëgjim publik kanë shprehur shqetësimet e tyre nëse do të ketë politizime apo edhe mos aktivizim të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza tha se ka komuna që nuk kanë zyrtarë për rini dhe nuk kanë parasysh politikat rinore.
“Unë po e mirëpres edhe Agjencinë edhe Këshillin Shtetëror, sepse fatkeqësisht ka akoma komuna që nuk e kanë asnjë zyrtar për rini edhe ka akoma komuna të cilat nuk e kanë të përfshirë fare dikasterin e rinisë në qeverisje lokale. Do të thotë nuk e ka fare të përfshirë rininë si divizion në kuadër të politikave lokale. Kemi punë në këtë drejtim si aktivistë që merremi me çështje të rinisë por edhe si institucione, duke tentuar që të bëjmë sa më shumë mekanizma, të cilët përveç që obligojnë komunat që të kenë parasysh dhe institucionet tjera, jo vetëm komunat, që të kenë parasysh politikat rinore i obligojnë edhe që të kenë mbështetje për ta, siç është në rastin konkret mbështetja financiare”, deklaroi ajo.
Studenti Burim Zasella përmendi keqpërdorimin e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal.
“A ka ndonjë mekanizëm që i ndëshkon këto drejtori njëjtë edhe tek qendrat rinore. Çka nëse nuk i mbulon? Çka nëse Këshillat Rinore Lokale dhe qendrat rinore keqpërdoren, a duhet të presim ne tri vjet që t’i kalojë mandati atij personi apo ka ndonjë mekanizëm që ai të shkarkohet”, ka pyetur ai.
Edhe Drita Dibrani e cila mori pjesë në këtë dëgjim publik shprehi dilemat e saj, teksa theksoi se një nga pikat kanë të bëjnë me politizim.
“Për mua ende është mjegull mënyra se si do të konceptohet pika e 3. ‘Drejtoria komunale e rinisë funksionon si sekretariat i këshillit lokal’. Tek kjo është mirë të shikohet për tu ndryshuar…. konkretisht ne dimë qysh kanë funksionuar Këshillat e Veprimit Rinor Lokal më herët. Mirëpo sekretariati i ka pasur organizatat qeveritare”, tha ajo.