Përgatiti: Donisa Fazliu
Ankesat që kishin, i shpalosën para kryetarit e zyrtarëve të tjerë të komunës së Prishtinës. Kështu, dhjetëra përfaqësues të lagjeve e fshatrave, u bënë bashkë në diskutimin e përgjithshëm publik me qytetarë.
“Është problem me ashensorë, në banesën përballë meje e kemi një person që është me karrocë dhe banon në katin e katërt, ne kemi bërë kërkesa në komunë, na kanë thënë që do të shqyrtohet, por asnjë gjë nuk është ndërmarrë, kur pritet të rregullohet”, tha një qytetar.
“Problemi ynë është me mungesë të parkingut, do të ishte mirë që në Dragodan te hekurudha mu afru, që njerëzit mos me pritu me ardhë deri në periferi në qendër, për shkak që po shkaktohet shumë komunikacion, janë edhe mbeturinat që po na shkaktojnë shumë probleme, ju lutemi që të ndërmerrni diçka”, tha një qytetar tjetër.
Për gjithë këto ankesa të qytetarëve, kryetari Përparim Rama dhe përfaqësuesit e drejtorive përkatëse dhanë përgjigje, derisa premtuan edhe zgjidhje të problemeve.
“Besoj e keni parë që një numër i madh i pjesëve që kanë qenë në qendër i kemi ndërlidhë, kemi ende punë dhe besoj që aspekti i bizneseve aty do të ketë një pakt pozitiv”, tha Rama.
Javë më parë, Komuna e Prishtinës ka lansuar platformën e ankesave, përmes të cilës qytetarët në mënyrë elektronike kanë mundësi të adresojnë problemet e tyre.







