PSE FESTOHET HALLOWEEN?
Më 31 tetor në shumicën e vendeve perëndimore u festua Halloween apo siç njihet ndryshe edhe Nata e Shtrigave. Në këtë ditë njerëzit maskohen, i zbukurojnë shtëpitë, i gdhendin kungujt dhe shkojnë nga shtëpia në shtëpi për të kërkuar ëmbëlsira. Por, a e dini se si ka lindur kjo festë dhe çka festohet saktësisht në këtë ditë?
Halloween, është ditë e shenjtë që festohet më 31 tetor, në natën përpara festës së Gjithë Shenjtorëve, e cila festohet në traditën e Krishterimit Perëndimor. Besohet se shumica e traditave në lidhje me këtë natë rrjedhin nga festivali kelt i të korrave, por disa mendojnë se Halloween është krijuar në mënyrë të pavarur, si një festë ekskluzive e krishterë.
Një nga shpjegimet se përse festohet Nata e Shtrigave thotë se Keltët besonin se duke qenë se 1 nëntori në fakt është fillimi i vitit kalendarik, festën në natën paraprake ia kushtonin Zotit të Diellit dhe të Vdekjes. Ata, po ashtu, besonin se në natën në mes të 31 tetorit dhe 1 nëntorit të vdekurit ngriheshin nga varet e tyre dhe shkonin për t’i vizituar vendet ku jetonin dikur në këtë botë. Për këtë arsye, nga frik, të gjallët bënin zhurmë për t’i larguar të vdekurit dhe për të shmangur në këtë mënyrë takimin me ta.
Çka do të thotë fjala Halloween?
Ky emër ka lindur nga emri i festës kelte “All Hollow’s Eve”, gjegjësisht Nata e Gjithë Shenjtorëve. Aktivitetet më të shpeshta për shënimin e kësaj feste janë ballot me maska, punimi i llambave nga kungujt, shikimi i filmave të frikshëm (horror), leximi i tregimeve të frikshme, etj. Kurse fëmijët shkojnë derë më derë duke bërtitur “trick or treat” (qerasje apo rreng), që me fjalë të tjera do të thotë nëse nuk na qerasni me ëmbëlsira ne do t’ua punojmë ndonjë rreng. Në shekullin e 19-të, emigrantët irlandez e sollën versionin e kësaj feste në Amerikë.
Kostumet
Siç e kemi cekur më parë, në Natën e Shtrigave, fëmijëve u pëlqen që të maskohen me kostume të ndryshme dhe të shkojnë shtëpi më shtëpi për të mbledhur ëmbëlsira duke bërtitur TRICK OR TREAT!. Fëmijët në mbarë botën e adhurojnë këtë traditë. Për kostume, zakonisht i zgjedhin personazhet e tyre më të dashura. Dhjetë kostumet më të popullarizuara për fëmijë janë: princeshat, shtrigat, spiderman, piratët, kungujt, vampirët, princeshat e Disney, personazhet nga Star Wars, tringëllima dhe batman.
Kungulli i gdhendur
Shumë njerëz i zbukurojnë shtëpitë e tyre për këtë festë. Një nga dekorimet më të përhapura është kungulli i gdhendur në të cilin futet një qiri. Ky zbukurim njihet si Jack O’Lantern. Sipas legjendës irlandeze, Jack ishte një njeri dinak i cili arriti që ta mashtronte djallin, mirëpo për shkak të koprracisë së tij ai nuk arriti kurrë që të hynte në parajsë. Dënimi i tij ishte që të endej në errësirën në mes të dy botëve. Llamba e kungullin e gdhendur supozohet që t’i ndihmojë atij që të gjej daljen.
Falë maskave dhe zbukurimeve interesante për shtëpi si dhe sasive të mëdha të ëmbëlsirave, Halloween është festa e dytë më e shtrenjtë, menjëherë pas Krishtlindjeve. Halloween festohet në SHBA, Irlandë, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Suedi, Porto Riko, Japoni, Zelandë të Re, në disa pjesë të Australisë dhe viteve të fundit ka filluar të shënohet edhe në Kosovë.


 
                                     
    




