Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova nuk është një lodër fëmijësh, e ku e bëri të qartë se ata bënë punën e tyre sa i përket çështjes së presidentit/es, dhe se nuk mund ta propozojnë një kandidat vetëm e vetëm që t’ia sigurojnë kryeministrit Albin Kurtit kuorumin.
“Ky Parlament dhe Kosova nuk është lodër fëmijësh. Është ndërtuar me gjak, me mund, me sakrificë. Dhe ne, si Partia Demokratike e Kosovës, kemi bërë pjesën tonë të punës. Jemi përgjigjur pozitivisht kërkesave për takim, jemi munduar që të ofrojmë zgjidhje. Mirëpo, çfarë është kërkuar nga ne është nënshtrim ndaj vullnetit politik të zotit Kurti. Zoti Kurti ka fituar 50% të votave dhe për atë arsye qeveris i vetëm dhe udhëheq kuvendin. Mirëpo, Presidenti i Republikës duhet të jetë një grua apo burrë që përfaqëson unitetin qytetar dhe, mbi të gjitha, i cili apo e cila do të ishte garantues i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar dhe siguruar kuorumin zotit Albin Kurti. Ne kemi qenë të qartë, ne kërkojmë që Presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshjeve”, tha ajo.
E pyetur nëse do të qëndrojnë në sallë, në rastin nëse vec krijohet mundësia për të mbajtë seancën për të votuar presidentin/en, ajo tha se këtë e kanë bërë të qartë, duke nënvizuar se Kosova ka nevojë për stabilitet, e që kjo është në dorën e Kurtit.
“Jo, jo, e kemi bërë të qartë, besoj tash e shumë kohë. Kosova ka nevojë për institucione, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe është në dorën e zotit Kurti që të reflektojë. Imagjinojeni tash e sa muaj ne vijmë këtu, flasim për poste, për emra të përveçëm, kush do të jetë kryetar, kush do të jetë president. E në fakt ne do të duhej të ishim këtu për të shkarkuar bordin e ZRRE-së, do të duhej të ishim këtu për të folur për brengat dhe hallet e qytetarëve të Kosovës, e jo për egot e pushtetarëve”, tha ajo.






