“Cinema Paradiso” mbetet një nga filmat më të dashur dhe më të vlerësuar të kinemasë italiane dhe botërore. Fitues i çmimeve prestigjioze si Oscar dhe Golden Globe, si dhe i duartrokitur në Festivalin e Kanës, filmi nuk njihet vetëm për historinë e tij emocionale, por edhe për lidhjen e veçantë me një komunitet arbëresh në Itali.
Xhirimet e filmit u realizuan në Palazzo Adriano, një komunë arbëreshe pranë Sicilisë, e cila u shndërrua në skenën kryesore ku mori jetë historia e Totos dhe Alfredos. Edhe pse asnjë nga aktorët nuk ishte arbëresh, fshati u bë pjesë e pandashme e identitetit të filmit, siç e ka theksuar edhe arbëreshi Franco Calima në rrëfimet e tij publike.
Nën regjinë e Giuseppe Tornatores dhe me muzikën e pavdekshme të Ennio Morricones, “Cinema Paradiso” rrëfen një histori prekëse për dashurinë ndaj kinemasë, miqësinë dhe kujtimet e fëmijërisë, duke pasur në qendër marrëdhënien mes Totos dhe projeksionistit Alfredo, si dhe dashurinë e tij për Elenën.
Sheshi kryesor i Palazzo Adrianos, me shatërvanin në qendër, u përdor për disa nga skenat më ikonike të filmit. Aty ndodhen edhe dy kishat që shfaqen në film – një e ritit bizantin dhe një e ritit latin – simbol i trashëgimisë kulturore dhe fetare të komunitetit arbëresh që jeton në këtë zonë.
Trashëgimia e filmit ruhet edhe sot përmes Muzeut “Cinema Paradiso”, i cili ndodhet në fshat. Vizitorët mund të shohin objekte origjinale nga xhirimet, si biçikleta e Alfredos, projektori i famshëm i kinemasë Paradiso, si dhe fotografi e materiale arkivore nga realizimi i filmit.
Shtëpia e Alfredos dhe ajo e Totos janë kthyer në pika të rëndësishme turistike, ndërsa çdo vit, Palazzo Adriano organizon “Paradiso Film Festival”, duke mbajtur gjallë lidhjen mes këtij fshati arbëresh dhe një prej filmave më të dashur në historinë e kinemasë.






