Një lajm i rremë i shpërndarë në rrjetet sociale ka shkaktuar një debat të ashpër publik mes këngëtares Çiljeta Xhilaga dhe kompozitorit Gjergj Leka.
Gjithçka nisi nga një fotografi e montuar, përmes së cilës pretendohej se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, e kishte dekoruar Çiljetën me titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.
Ndonëse publikimi kishte karakter satirik, ai u mor si i mirëqenë nga një pjesë e përdoruesve, duke nxitur reagime të shumta. Vëmendjen më të madhe e tërhoqi komenti ironik i Gjergj Lekës, i cili e cilësoi lajmin si “sarkazmën e vitit”.
“Nëse nuk është humor, do të ishte dita më e turpshme e presidentit shqiptar”, shkroi ndër të tjera kompozitori.
Çiljeta reagoi duke sqaruar se lajmi nuk ishte i vërtetë dhe se nuk kishte marrë asnjë dekoratë. Megjithatë, ajo e kritikoi ashpër mënyrën se si Leka ishte shprehur për të.
“Qetësohu, Gjergj. Është thjesht një lajm i rremë. Nuk kam marrë asnjë dekoratë, por është e turpshme që një artist si ti të shprehet në këtë formë dhe me kaq mllef”, shkroi këngëtarja.
Në reagimin e saj, Çiljeta përmendi edhe angazhimin shumëvjeçar në muzikë, prezantim dhe aktrim, duke theksuar se për të rëndësi ka realizimi i ëndrrave personale dhe mbështetja që vazhdon të marrë nga publiku.
“Edhe sot, pa publikuar këngë të reja prej vitesh, vazhdoj t’i mbush koncertet. Për mua ka rëndësi që i kam realizuar ëndrrat e mia duke kënduar, prezantuar dhe aktruar, jo mendimi i disa njerëzve”, deklaroi ajo.
Këngëtarja e përfundoi reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kompozitorit, duke i kërkuar të reflektonte për komentet e tij.
Replika e Çiljetës u pasua nga një tjetër përgjigje e Gjergj Lekës. Ai tha se e vlerëson atë si person, por jo kontributin e saj në artin shqiptar.
“Të vlerësoj për vajzën që je, por jo për atë që ke dhënë në artin shqiptar. Janë dy anë të ndryshme të medaljes. Më vjen mirë që kohët e fundit jeta dhe shijet e tua muzikore kanë ndryshuar. Të uroj jetë dhe muzikë me vlera”, shkroi Leka.
Përplasja mes dy artistëve ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku ndjekësit janë ndarë në qëndrimet e tyre rreth deklaratave dhe toneve të përdorura nga të dyja palët.









