​Cilët nga librat dhe autorët u lexuan më së shumti gjatë 2023

Kërkesa e lexuesve kosovarë për librin vazhdon të jetë e fokusuar në trendin botëror, qoftë te letërsia apo edhe librat tjerë siç janë motivuesit, librat rreth avancimit personal.

Në libraritë e kryeqytetit, si “Dukagjini”, “Buzuku”, por edhe nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” tregojnë se për cilat libra kishte më së shumti interesim për lexim gjatë vitit 2023, ndërkohë që shitësit e librit ankohen për mungesë të interesimit për lexim të librave dhe se një gjë e tillë po reflekton edhe në testin PISA.

Dorontina Drenovci, përfaqësuese e librarisë “Dukagjini”, për KosovaPress thotë se gjatë 2023-së ka pasur prurje të mëdha të titujve të rinj të veprave të ndryshme, teksa po rriten kërkesat edhe rreth literaturës për fëmijë.

“Truri i fëmijës” (autor Daniel J. Siegel), për vitin e dytë radhazi është libri më i shitur te libraria “Dukagjini”. Mandej kemi “Make Time” (Gjej kohë) (Jake Knapp and John Zeratsky), përkthyer në gjuhën shqipe, “Komploti” (Ben Blushi), “Mali je ti” (Brianna Wiest)”, etj… Vlen për t’u cekur se ka shumë kërkesa edhe për setin e klasikëve, siç janë “Princi i vogël”, (Antoine de Saint-Exupéry), “Princi” (Niccolo Machiavelli), “Ferma e kafshëve” (George Orwell), ku kjo seri do të ketë edhe libra të tjerë klasikë dhe letërsi moderne… Asaj që i gëzohemi jashtëzakonisht shumë është se shohim trendin e madh edhe te fëmijët, kështu që ne na gëzon (fakti)… Fëmijët vijnë vazhdimisht dhe prindërit e kanë kuptuar rëndësinë e librit”, tha Drenovci.

Antigona Alija, përfaqësuese e sektorit të librave për fëmijë në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, tregon librat dhe autorët më të lexuar në këtë bibliotekë.

“Librat për këtë vit për të cilat janë më të lexuarat, kemi libra edhe nga autorët shqiptarë dhe autorëve të huaj. Mund t’i veçoj disa. Janë librat e Viktor Canosinajt, Rifat Kukajt, Arif Demollit, dhe shumë libra të tjerë. Nga librat të autorëve të huaj kemi librat e David Williams, koleksionin, pastaj “Harry Potter” (J. K. Rowling), dhe Tome Gates e shumë tituj të tjerë të rinj… Bibliotekën e vizitojnë (nxënës) nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”, tha ajo.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në këtë bibliotekë, Fatime Mehmetaj tregon për KosovaPress, se cilat libra janë lexuar më së shumti për të rritur gjatë 2023.

“Librat më të lexuar kryesisht janë nga letërsia shqipe, veprat e Ibrahim Rugovës, Ismail Kadare, Sabri Hamiti, Petro Marko, ndërsa nga letërsia e huaj janë veprat e (Haruki) Murakamit që është në trend kohën e fundit, “Katedralja e Parisit” (Victor Hugo), mandej (Fyodor) Dostoevsky, d.m.th, klasikët lexohen ende me vëmendje, sepse janë libra që ia vlejnë gjithmonë për t’i lexuar si “Krimi dhe dënimi”. Gjithashtu, kemi edhe nga letërsia turke (autorin) Orhan Pamuk që lexohet shumë kohëve të fundit, Danielle Steel që lexohet gjithmonë dhe ndoshta është ndër më të lexuarit, por sa i përket vlerave ne mendojmë që ka libra që ia vlen më shumë për të lexuar. Kemi (novelistja turko-britanike) Elif Shafak nga viti i kaluar. Kemi marrë të gjithë titujt dhe lexohen jashtëzakonisht shumë në bibliotekë”, tha ajo.

Ndërsa nga libraria “Buzuku” thonë se nga viti në vit, fatmirësisht trendi i botimeve, por edhe shitjes e leximit ka qenë në rritje.

“Kërkesa e lexuesve vazhdon të jetë kryesisht e fokusuar në trendin botëror, qoftë te letërsia apo edhe librat tjerë siç janë motivuesit, librat rreth avancimit personal etj. Në libraritë “Buzuku” kërkesa më e madhe ka qenë: “48 ligjet e pushtetit”, “Ikigai”, “Rrethuar nga idiote”, “Shprehi atomike”, “Princi i vogël”, “Ligjet e natyrës njerëzore”, “Muzeu i pafajësisë”, “Kafsha që jep shpirt”, “Asgjësim””, thuhet në një përgjigje me shkrim për KosovaPress nga kjo shtëpi botuese.

Për dallim nga libraritë dhe bibliotekat, interesimi i qytetarëve për leximin e librit duket të mos jetë i madh.

Mirsad Krasniqi, librashitës në Prishtinë, tregon se shitja e librave ka rënë në krahasim me vitin 2022 dhe se mos interesimi për lexim është shpërfaqur edhe në rezultatet e testit PISA 2022, ku Kosova u rendit ndër më të dobëtat.

“Nuk mund të mburremi shumë këtë vit me shitjen e librit. Nëse e bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, këtë vit shitja e librit ka qenë më e dobët… (Më së shumti lexojnë) Mosha më e shtyrë ose mosha mesatare… Sigurisht edhe rrjetet sociale ndikojnë, por këtu është problemi edhe më i thellë. Vetë fakti që rezultatet e PISA-s treguan se ku jemi, kjo tregon se dija nuk bëhet pa lexim, andaj mos të çuditen me rezultatet e PISA,” tha Krasniqi.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA