Chelsea ka nisur lëvizjet konkrete në afatin kalimtar për t’i dhuruar Xabi Alonsos një përforcim të madh në repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm.
Klubi londinez e ka vendosur si prioritet absolut transferimin e Victor Osimhenit, ndërsa kontaktet e para me rrethin e sulmuesit nigerian tashmë kanë filluar.
Pas konfirmimit të Xabi Alonsos në stolin e “Bluve” nga 1 korriku, drejtuesit e klubit po kërkojnë një qendërsulmues të nivelit të lartë, pasi reparti ofensiv nuk ka bindur plotësisht gjatë këtij sezoni. Edhe pse Joao Pedro ka realizuar mbi 20 gola, stafi teknik e sheh brazilianin më shumë si një lojtar që vepron pas një sulmuesi klasik të zonës.
Sipas raportimeve të TEAMtalk, Chelsea ka rikthyer fuqishëm interesimin për Osimhenin, një objektiv i kahershëm që më parë nuk u transferua për shkak të kufizimeve financiare të klubit anglez.
Forma fantastike e 27-vjeçarit te Galatasaray ka ndezur sërish interesimin e londinezëve. Për më tepër, Osimhen thuhet se e sheh me shumë interes mundësinë për të punuar nën urdhrat e Xabi Alonsos, edhe pse Chelsea mund të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, operacioni pritet të jetë shumë i vështirë nga ana financiare.
Galatasaray kërkon rreth 100 milionë euro për kartonin e sulmuesit, ndërsa Chelsea duhet të lëvizë shpejt edhe për shkak të konkurrencës nga Arsenali, që po monitoron gjithashtu situatën e lojtarit.
Nëse transferimi realizohet, Chelsea do të krijonte një repart ofensiv mjaft të frikshëm për sezonin e ardhshëm, me emra si Cole Palmer, Estevao, Joao Pedro dhe Victor Osimhen.
Sulmuesi afrikan ka regjistruar 22 gola dhe tetë asistime në 33 ndeshje zyrtare këtë sezon, duke u shndërruar në një nga emrat më të kërkuar në tregun evropian.





