Përgatiti: Driton Sadiku
Me certifikimin e 56 noterëve të rinj, komunat si Kamenica, Istogu, Skenderaj e disa të tjera, pritet që më të mos kenë mungesë të noterëve.
Nga 437 sa ishte numri i kandidatëve, vetëm 56 arritën ta kalojnë provimin e noterisë, të cilët të premten u pajisën me certifikata nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Si ministre deri më tani nuk kam mundur t’i emëroj noterë kandidatët që kanë dhënë provimin e noterisë në procesin e vitit 2019, duke e ditur se ka qenë proces më i komprometuar ndonjëherë, ndërhyrje nga brenda, ndërhyrje nga jashtë, gjithandej… Më duket e padrejtë ndaj jush, sepse ju i jeni nënshtruar një procesi transparent e meritor, besa ka pasur ankesa që detyra ka qenë shumë e vështirë, ndërsa ata e kundërta e kësaj, por jemi ku jemi”, tha Haxhiu.
Te certifikuarit i uroi edhe kryetarja e Komisionit, Filloreta Lekiqi, teksa u bëri thirrje që profesionin ta ushtrojnë me nder e profesionalizëm.
“Kam nderin t’i uroj kandidatët që kanë kaluar me sukses provimin e noterisë, duke marrë parasysh të gjithë angazhimet që i kemi bërë ne si komision dhe ju si kandidatë… Që nga sot mund ta ushtroni profesionin për të cilin keni ardhur për t’u certifikuar, uroj që të keni sa më shpejt mundësinë që të ushtroni profesionin dhe ta bëni me nder dhe profesionalizëm”, tha Lekiqi.
Përveç këtyre që u certifikuan sot, Ministrja Haxhiu tha se shpejt do të hapet edhe konkursi tjetër për pranimin e 100 noterëve të tjerë.
Risi, sipas saj, do të jetë konkursi për komunat veriore, që, sipas saj, nuk ka ndodhur kurrë më herët.