Pas largimit nga Real Madrid, Carlo Ancelotti mori drejtimin e Kombëtares së Brazilit, një mundësi që tekniku italian e konsideron “të jashtëzakonshme” për karrierën e tij.
Në një intervistë për FIFA-n, Ancelotti rrëfeu se ndihet shumë rehat me lojtarët dhe Federatën, dhe se ambienti në Brazil i ka krijuar kushte ideale për përgatitjet për Kupën e Botës 2026.
“Përgjegjësia jonë është të arrijmë atë që çdo brazilian ëndërron, të fitojmë sërish Kupën e Botës pas 24 vitesh,” tha Ancelotti, duke shtuar se jetesa në Rio de Janeiro është një eksperiencë e bukur dhe frymëzuese për të.
Tekniku italian shprehu besimin se turneu verën e ardhshme në Amerikën e Veriut do të jetë shumë i balancuar dhe argëtues, me shumë kombëtare që kanë lojtarë të shkëlqyer dhe të paktën disa nga më të mirët në botë. Ancelotti theksoi gjithashtu se kualifikimi tashmë është siguruar dhe se skuadra po përgatitet intensivisht për të dhënë maksimumin në Botëror.