Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet të premten (10 tetor) me fillim nga ora 10:00.
Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.
Kujtojmë se që nga dje ka nisur afati 12-ditor për konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese. Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.
Gjykata kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë, në të cilin vlerëson se votimi ndaras për komunitetet pakicë, mund të bëhet edhe ndaras, dhe në rastin konkret nuk kishte shkelje kushtetuese, ani pse praktika parlamentare që nga 2011-ta ishte që komunitete të votoheshin në pako.
“Duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, njoftoi Kushtetuesja.
Kësisoj gjykata e merr si të mirëqenë edhe zgjedhjen e Emilja Rexhepit si nënkryetare nga komunitete pakicë joserbe.
Kushtetuesja hodhi poshtë ankesën e Listës Serbe për përzgjedhjen me short të nënkryetarëve për votim, për çka konstatoi se praktika e ndjekur në këtë rast ishte në përputhje me kushtetutën.
Megjithëse shumica e deputetëve serb kanë konsumuar të drejtën e propozimit tri herë për votim, gjykata nuk e cilëson pengesë për konstituim të kuvendit.
Gjithashtu gjykata obligon deputetët që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë pro, kundër apo abstenim, në afat prej 12 ditësh.
LAJMI NË PËRDITESIM…