Me brohoritje e duartrokitje në sallën e Gjykatës Themelore në Ferizaj është përcjellë dënimi për Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit.
Krivaqa u dënua për “Vrasje të rëndë”, por është liruar nga akuza për dhunim.
Nga akuza për ndihmë në kryerjen e dhunimit u lirua edhe Arbër Sejdiu. Por, për akuzën ndihmë në vrasje të rëndë, ai u dënua me 15 vjet burgim.
Të kënaqur me vendimin e gjykatës ndaj të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa ishin familjarët e viktimës, edhe pse nga salla dolën të mllefosur për shkak të dënimit ndaj Sejdiut.
Megjithatë, avokati i familjes Osmani njoftoi se me të marrë aktgjykimin e plotë do të ankohen ndaj këtij vendimi.
Vendimi ndaj të akuzuarve Krivaqa e Sejdiu, shpallet pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit. Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaqa e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon e më poshtme: