Aktiviteti ekonomik në tremujorin e dytë të këtij viti (TM2 2023) është ngadalësuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej vetëm 2 për qind në këtë periudhë.
Kështu thuhet në në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023” të publikua nga Banka Qendrore e Kosovës.
Sipas BQK-së, vlerësimet e ASK-së sugjerojnë se Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej vetëm 2 për qind në TM2 2023, kryesisht si pasojë e rritjes së deficitit të eksporteve neto.
“Rritja e deficitit tregtar ishte kryesisht rezultat rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve, ndërkohë që eksporti i mallrave dhe shërbimeve ka shënuar rritje të ngadalësuar. Në anën tjetër, konsumi ka shënuar rritje më të lartë, si rezultat i rritjes së burimeve të financimit si dhe ngadalësimit të rritjes së çmimeve të konsumit”, thuhet në raport.
Po ashtu, sipas BQK-së investimet vlerësohet se kanë shënuar një rritje më të lartë krahasuar me tremujorët paraprak, kryesisht si rezultat i rritjes së investimeve publike si dhe kredive të reja investuese.
“Për gjysmën e dytë të vitit 2023, aktiviteti ekonomik pritet të mbështetet nga investimet e përgjithshme, konsumi publik dhe eksporti i shërbimeve, ndërkohë që ndikim negativ pritet të ketë eksporti imallrave”, thuhet në raport.
Në vitin e kaluar vendi pati normën e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) rreth 3 për qind.