​Borrell: Kosova t’i pezullojë operacionet policore, e serbët protestat në veri

Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës, ka nxitur reagimin e shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka kërkuar nga autoritetet e kosovare t’i pezullojë operacionet policore rreth objekteve të komunave në veri të Kosovës.

Borrell të martën në një konferencë për media ka bërë thirrje që edhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen.

“Bashkimi Evropian dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që e kemi parë ditët e fundit. Veprimet e dhunshme ndaj qytetarëve, ndaj mediave, ndaj forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it janë absolutisht të papranueshme dhe sjellin një situatë shumë të rrezikshme. Ne, Bashkimi Evropian, qëndrojmë fuqishëm prapa KFOR-it të NATO-s në përmbushjen e mandatit të saj në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Sot në mëngjes kam kontaktuar sërish me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe gjatë natës me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. U kërkova të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte, dhe çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm duhet të shmanget dhe të rivendoset qetësi. Si hap i parë, do të prisja që autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionin policor me fokus në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të largohen dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi me dy liderët”, theksoi Borrell.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell se BE-ja pret që palët ta vazhdojnë dialogun.

Borrelli konfirmoi se po punohet që të organizohet një takim urgjent i nivelit të lartë për dialog.

“Bashkimi Evropian pret që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri që garanton qetësi dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe për të hapur rrugën për zbatimin e marrëveshjes së re në rrugën drejt normalizimit. Për këtë jam duke punuar në organizimin e një takimi urgjent të dialogut të nivelit të lartë… Nuk duhet të ketë dhunë, ka pasur shumë dhunë, tashmë kemi shumë dhunë në Evropë, nuk mund të përballojmë një konflikt tjetër. Shpresoj se zëri im do të dëgjohet dhe njerëzit do të sillen në përputhje me këtë kërkesë”, theksoi ai.

Ai më tej theksoi se zëvendës sekretari i tij i përgjithshëm për Siguri dhe Mbrojtje, Charles Fries është në Kosovë, dhe së bashku me misionin për sundimin e ligjit EULEX si reaguesi i dytë i sigurisë do të përgjigjen për situatën në terren.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA