5.5 C
Pristina
Tuesday, January 27, 2026

Bllokimi i kufijve drejt zonës Schengen, Gërxhaliu: Vendim i padrejtë i BE-së që dëmton Ballkanin dhe Kosovën

Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian e që si pasojë e kësaj proteste, e dëmtuar po cilësohet të jetë edhe Kosova.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, gjatë një interviste për Ekonomia Online e ka cilësuar të padrejtë vendimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo protestë do të jetë shkak i krisjes së avancimit të partneritetit ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gërxhaliu ka deklaruar se shqetësimi kryesor lidhet me rregulloren e re të Bashkimit Evropian që kufizon qëndrimin e vozitësve ndërkombëtarë.

“Jemi dëshmitarë të asaj që tani ka hyrë në fuqi një rregullore e re e Bashkimit Evropian, ku nuk mund të qëndrohet në Evropë më tepër se 3 muaj ditë dhe kjo është brenga më e madhe e sektorit të transportit ndërkombëtar. Në këtë drejtim duhet të kuptohet që partneri strategjik për vendet e Ballkanit Perëndimor është Evropa. Një barrierë e tillë, e cila e kufizon qëndrimin e vozitësve të kamionëve vetëm me këtë periudhë kohore, është një dëm shumë i madh, në veçanti në kohën kur jo vetëm Evropa, por edhe Ballkani Perëndimor është duke e vërejtur mungesën e vozitësve profesionalë. Duhet të kuptohet se më tepër se 370 mijë kompani nga Ballkani Perëndimor partner e kanë Evropën dhe ky kufizim vërtet do të jetë një ngulfatje e avancimit të partneritetit dhe e rritjes së bashkëpunimit reciprok mes Evropës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut, pasojat e këtij kufizimi do të ndihen drejtpërdrejt edhe në qarkullimin ditor të mallrave mes vendeve të rajonit dhe BE-së.

“Paramendojeni vetëm ndërmjet kufirit mes Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës kemi kamionë që kalojnë në baza ditore dhe nëse atyre u kufizohet hyrja vetëm 90 ditë brenda vitit, do të jetë diçka që vërtet do ta dëmtojë ekonominë e dy vendeve. Në kuadër të Bashkimit Evropian ekzistojnë institucione të ndryshme që e kanë përgjegjësinë në këtë drejtim dhe besoj se reagimi i tyre do të jetë në nivelin më të lartë. Është një reagim nga Forumi Investiv i Odave të Ballkanit Perëndimor, ku gjashtë oda ekonomike e kanë ngritur këtë shqetësim, por nuk duhet që ky shqetësim të marrë masa përshkallëzuese, sepse nëse vazhdohet në këtë mënyrë, ku kufijtë bllokohen, atëherë pasojat do të jenë ekonomike, sociale dhe psikologjike, sepse do të dëmtohet imazhi i partneritetit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kur kësaj i shtohen edhe lëvizjet gjeostrategjike që po ndodhin në botë, besoj se është një dëm shumë i madh. Heshtja në Kosovë nuk nënkupton që bizneset kosovare nuk do të jenë të prekura, prandaj sa më tepër që të ngrihet zëri për një dukuri të tillë dhe sa më tepër të përdoren kanalet lobuese në instancat evropiane, ky problem do të zgjidhet më shpejt dhe do të jetë një nisje e një frymëmarrjeje të re, sepse vërtet transporti është një nga aktivitetet substanciale në biznesin ndërkombëtar, në veçanti në tregtinë e mallrave”, tha Gërxhaliu.

Ai paralajmëroi se zgjatja e protestës do të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe për qytetarët dhe zgjatja e saj për shtatë ditë do të krijojë çrregullim mes ofertës dhe kërkesës.

“Një protestë e tillë që do të zgjasë 7 ditë apo mbi 7 ditë do të krijojë një çrregullim mes ofertës dhe kërkesës, do të reflektojë në mungesën e prodhimeve, qofshin ato të importuara apo të eksportuara, dhe Kosova nuk do të jetë imune ndaj prekjeve nga një situatë e tillë. Do të preket sektori privat, qoftë përmes importit të lëndës së parë apo përmes eksportit të prodhimeve finale, por në të njëjtën kohë do të ketë një goditje te shporta e qytetarëve, pasi pjesa dërrmuese e mallrave vijnë nga importi. Çdo mungesë në treg do të ndikojë në aspektin psikologjik, në ngritjen e çmimeve, në këtë kohë inflacioni dhe krize sociale e ekonomike. Një dukuri e tillë do ta rrisë më tepër tregtinë spekulative dhe, në fund të fundit, tërë këtë anomali të krijuar në transport do ta paguajë qytetari, jo vetëm i Ballkanit Perëndimor, por edhe qytetari i Kosovës”, theksoi ai.

Kjo protestë është reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike, dhe kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.

Transportuesit njoftuan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse gjatë kësaj kohe nuk gjendet zgjidhje për problemin e tyre.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas informacionit të pranuar nga zyrtarët kufitarë të Serbisë, “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”.

“Këto protesta ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit, që janë të përfshira në protesta”, thuhet në njoftim.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit paralajmëroi se bllokadë të ngjashme do të ketë edhe nga Mali i Zi.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA