Pritjes i erdhi fundi dhe lajmi i bukur u konfirmua zyrtarisht: këngëtari Blero dhe partnerja e tij Eronita janë në pritje të fëmijës së tyre të parë së bashku.
Çifti e ndau lajmin me ndjekësit përmes një postimi tejet të ëmbël në rrjetet sociale.
Në fotografinë e publikuar shihen duart e tyre duke mbajtur një palë atlete të vogla të kuqe, ndërsa emocionin e shoqëruan me mbishkrimin: “Fëmija po vjen… Ai tingull i vogël ndryshoi botën tonë përgjithmonë”.
Ky lajm vjen vetëm disa muaj pasi dyshja kurorëzoi dashurinë me martesë, në fillim të këtij viti, duke e bërë këtë periudhë edhe më të veçantë për ta.
Ndërkohë, surprizat nuk ndalen me kaq, pasi sipas burimeve tashmë është zbuluar edhe gjinia e foshnjës: bëhet e ditur se çifti po pret djalë.
Për Eronitën, kjo është një përvojë e re, pasi do të bëhet nënë për herë të parë. Ndërsa për Bleron, ky do të jetë fëmija i dytë, pasi ai është tashmë baba i vajzës Tara, nga martesa e tij e mëparshme me aktoren e njohur Teuta Krasniqi.






