Sepp Blatter, ish-kreu i FIFA-s dhe Michel Platini, ish-presidenti i UEFA-s, do të paraqiten sot në një gjykatë zvicerane për një tjetër shqyrtim të akuzave për mashtrim që i rrëzuan ata nga udhëheqjet e futbollit global.
Një gjykatë e posaçme e apelit, në Muttenz pranë Bazelit, do të dëgjojë një kërkesë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit (OAG) për të rihapur procedurat kundër Blatter, i cili mbush 89 vjeç më 10 mars, dhe 69-vjeçarit Platini.
Saga e gjatë ligjore filloi në vitin 2015 kur Blatter u largua nga posti i kreut të FIFA-s në një aferë korrupsioni. Ai rrjedh nga një pagesë e vonuar prej dy milionë frangash zvicerane (1.8 milionë euro) që FIFA i pagoi francezit Platini në vitin 2011 për shërbimet e konsulencës, transmeton KosovaPress.
Dyshja u liruan nga Gjykata Federale Zvicerane në qershor 2022 nga akuzat që përfshinin “menaxhim jo besnik”, “shkelje të besimit” dhe “falsifikim letrash me vlerë”.
Gjykata arriti në përfundimin se mashtrimi “nuk ishte vërtetuar” dhe për këtë arsye zbatoi parimin e përgjithshëm të ligjit penal sipas të cilit “dyshimi duhet të jetë në favor të të akuzuarit”.
ZAP menjëherë e ka apeluar aktgjykimin dhe gjykata e apelit do të mbajë seancë nga e hëna deri të enjten dhe do ta nxjerrë aktgjykimin deri më 25 mars, përcjellë KosovaPress.
Mbrojtja dhe prokuroria bien dakord që francezi e ka këshilluar Blatterin midis viteve 1998 dhe 2002, gjatë mandatit të parë të administratorit zviceran në krye të FIFA-s, dhe se në vitin 1999 të dy burrat nënshkruan një kontratë që ranë dakord për një shpërblim vjetor prej 300,000 frangash zvicerane, për t’u “paguar plotësisht nga FIFA”.
Prokurorët argumentojnë se kjo ishte një pagesë “e pabazuar”, e marrë duke “mashtruar me zgjuarsi” kontrollet e brendshme të FIFA-s përmes deklaratave të rreme të bëra nga dy drejtuesit – kriteri kryesor në mashtrim.