Marcelo Bielsa ka konfirmuar largimin nga posti i trajnerit të Uruguait, pasi kombëtarja u eliminua që në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026.
Në konferencën e tij të lamtumirës, tekniku argjentinas e cilësoi këtë fund si një nga momentet më të vështira të karrierës.
“Është një lamtumirë shumë e dhimbshme. Kisha ëndrra të mëdha për këtë ekip, por nuk ia dolëm. I zhgënjyem tifozët dhe përgjegjësia bie mbi mua”, deklaroi Bielsa.
Ai pranoi se nuk arriti të menaxhonte skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme, megjithëse theksoi se lojtarët dhe stafi dhanë maksimumin.
Bielsa hodhi poshtë gjithashtu zërat për përçarje brenda ekipit, duke sqaruar se kishte pranuar disa kërkesa të futbollistëve për mënyrën e stërvitjes dhe takimeve taktike, me synimin për të ruajtur harmoninë në grup.
Tekniku argjentinas shtoi se, pavarësisht eliminimit, beson se Uruguai kishte cilësinë për të kaluar fazën e grupeve, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara.
Kështu, pas gati katër vitesh në krye të “La Celeste”, merr fund aventura e Marcelos Bielsas me kombëtaren uruguaiane.





