Kosovarët po bëjnë më pak fëmijë. Kështu tregojnë të dhënat e mbledhura nga Agjencia e Statistikave e Kosovës.
Sipas ASK-së, nga viti 1986 kur numri i lindjeve ishte 56 283, në vitin 2019 kjo shifër ka rënë në 25 794 lindje.
“Statistikat tona na tregojnë se kemi rënie të lindjeve në Kosovë. Kjo lidhet me fertilitetin dhe emigrimin. Ne besojmë që do të dalim më të pajisur për këtë dukuri nga ky diskutim. Kjo dukuri është prezente në gjithë rajonin dhe më gjerë, vendet e rajonit i kanë marrë hapat me kohë. Përpos që lindjet kanë rënie, edhe emigrimi është në rritje”, tha Ilir Berisha, ushtrues detyre i kryeshefit të ASK-së.
Nga shqetësimi për këtë situatë, u kërkua nga Qeveria përmirësimi i politikave që adresojnë këtë problematikë.
“Brenga e të gjithëve është se çfarë do të ndodhë, sepse popullsia po zvogëlohet. Orientim është se çfarë po bëjnë shtetet e tjera që janë prekur, çfarë masash duhet me marrë dhe cilat nga to kanë pasur sukses. Shtete që janë ballafaquar me këtë problematikë kanë vërtetuar dhe kanë bërë ndryshime në politika si në edukim, pushimin e lehonisë, pushimin prindëror. Ne si Kosovë po presim se çka do të ndodhë me liberalizim vizash tani, kur gjysma e të rinjve do të largohen”, tha Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e zyrës së UNFPA-së.
Një arsye tjetër e rënies së natalitetit, sipas përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është edukimi i të rinjve mbi shëndetin seksual dhe riprodhues.
“Lindshmëria ka rënë, faktorët e rënies u cekën, por ajo që është e rëndësishme është që kjo varet prej shumë faktorëve, ajo çka është me rëndësi në si Institut duhet të punojmë sa më tepër me të rinjtë, sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues. Ne mbajmë trajnime me shkollat e mesme. Ajo çka është e rrezikshme është shtatzënia e p dëshiruar, andaj duhet të punohet me të rinjtë pasi këto janë tema tabu në familjet tona. Rrezik tjetër është se të rinjtë kanë informata të shumta dhe se informata ata duhet t’i marrin nga burimet e sigurta”, tha Sevdie Spahiu nga IKSHPK.
Përveç rënies së numrit të lindjeve, të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se edhe numri i vdekjeve nga viti në vit ka rënë. Derisa në vitin 1999 kanë qenë 20 311 vdekje, në vitin 2019 kanë qenë 14 845. /atvlive.tv
Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë: