Përgatiti: Kastriot Tahiri
Ambienti i bibliotekës ka mbetur, por funksioni i është ndryshuar në zyrë pune.
Ka dy javë që në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” janë bartur zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë.
Kjo u bë me vendim të kryetarit të komunës, Përparim Rama.
Për vendimin nuk qenë në dijeni shoqëria civile, anëtarët e së cilës përmes një letre publike, po kërkojnë anulimin e tij.
“Dhomat kanë qenë të dedikume për senet e caktume kanë pas mjete por qysh pe kuptojmë janë kthye në zyre, ideja është me ofru hapësirën për komunitetin se nuk ka boll hapësira të tilla”, tha Rozafa Maliqi, organizatore e Komunitetit Kulturor.
Që në kryeqytetet ka mungesë të hapësirave që i shërbejnë komunitetit e thotë edhe Taulant Hoxhaj, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
“Rasti i qendrës ka qenë një prej hapësirave të pakta që ka qenë e hapur ku u investuar edhe një shumë e konsiderueshme me mjeteve publike. Ajo do të duhej të mbetej një hapësirë e artit e kulturës e jo të shfrytëzohet si zyrë administrative”, tha Hoxhaj.
Vendimin për zhvendosjen e DKRS-së në këtë objekt po e vlerëson si të pamenduar mirë, edhe opozita.
“Veprimi nuk ka sens, se komuna ka zyra të mjaftueshme, Prishtina ka nevojë për më shumë hapësira për komunitet. Do të duhej të ishte në dobi dhe në funksion të shoqërisë civile”, tha Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.
Për vendimin e kryetarit dhe kërkesën për anulimin e vendimit nga shoqërinë civile, ATV është interesuar që nga e enjtja, por askush nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje.





