Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj është takuar në Dejton me zëvendëssekretarin e Shtetit Christopher Landau.
Begaj nënvizoi faktin se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetës të palëkundur dhe kanë luajtur rol vendimtar në momente historike të kombit shqiptar.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë demokratizimit, transformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe në mënyrë të veçantë reformimit historik të sistemit të drejtësisë,” tha presidenti Begaj.
Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike, presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria mbetet shpresëplotë dhe me dëshirën e saj shumë të madhe për të vijuar bashkëpunimin bilateral dhe ndihmesën ekonomike në të ardhmen.
“Ne ftojmë investitorët amerikanë, pasi Shqipëria ofron mundësi investimi më turizëm, infrastrukturë strategjike, teknologji dhe siguri kibernetike. Po ashtu, ne inkurajojmë kompanitë e Shteteve të Bashkuara të investojnë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Projektet e SHBA-së, siç janë ato në energjinë e rinovueshme apo transformimin digjital, krijojnë mundësi punësimi dhe modernizojnë ekonominë shqiptare”, tha Begaj.
Begaj vlerësoi rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur e vijojnë të luajnë në rajon, raporton KosovaPress.
Kreu i shtetit shqiptar i përcolli zëvendëssekretarit të Shtetit Christopher Landau nevojën për vijimësinë e prezencës amerikane në rajon si faktor të pazëvendësueshëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.
Presidenti çmoi rolin e SHBA-së në NATO, dhe e njohu Landau me angazhimin e Shqipërisë për të rritur buxhetin e mbrojtjes.
“Të jesh anëtar i NATO-s do të thotë të marrësh përgjegjësi dhe Shqipëria është e përkushtuar në përmbushjen e tyre”, tha ai, transmeton Topchannel.
Begaj po merr pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dejton të SHBA-së, i cili përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes që i dha fundin luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sesioni do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor, ku do të marrin pjesë edhe presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.