Artistët njoftuan se Antigone Ramosaj ka përmbyllur trajtimin me kimioterapi dhe terapi me rreze, ndërsa në mars e pret kontrolli i parë pas terapive.
Pas një periudhe të vështirë për familjen, Beatrix dhe Alban Ramosaj kanë ndarë me ndjekësit një lajm emocionues në rrjetet sociale: nëna e tyre, Antigone Ramosaj, ka përfunduar zyrtarisht kimioterapinë dhe terapinë me rreze.
Dyshja e përshkroi këtë rrugëtim si jashtëzakonisht sfidues, por të mbushur me shpresë, mirënjohje dhe optimizëm. Në një postim prekës, ata publikuan edhe një video ku shihen duke e përqafuar të ëmën, në një moment simbolik që shënon përmbylljen e një beteje të rëndë.
“Përqafimi për të cilin jemi lutur. Ka qenë një udhëtim i vështirë, i vështirë për t’u përshkruar me fjalë, por mirënjohja dhe optimizmi mbizotërojnë. Edhe pse kjo sfidë është afër përfundimit, na kujtohet se jeta është e shkurtër dhe se të jetuarit çdo moment pranë më të dashurve tanë është dhuratë dhe privilegj. Nëna ka përfunduar zyrtarisht kimioterapinë dhe terapinë me rreze, ndaj sot festojmë këtë arritje; nesër dhe çdo ditë që kemi mundësinë të jemi pranë teje. Në mes të marsit ajo do të kryejë skanimin e parë kontrollues pas terapive, dhe ne shpresojmë e lutemi që rezultati të jetë rikuperim i plotë nga kjo sfidë. Të duam shumë, nënë, Antigone Ramosaj”, kanë shkruar ata.
Beatrix dhe Alban falënderuan gjithashtu të gjithë ata që i kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se mendimet dhe lutjet e tyre shkojnë për çdo familje që po përballet me sfida të ngjashme shëndetësore.






