“Nuk mund të lejojmë një konflikt tjetër në Evropë”, theksoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, duke folur për dhunën dhe tensionet në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në një konferencë me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic, Borrell dënoi, siç u shpreh, “me termat më të ashpër, dhunën ndaj qytetarëve, gazetarëve, forcave të rendit dhe KFOR-it”.
Teksa ritheksoi mbështetjen për KFOR-in në përmbushjen e mandatit për paqe dhe stabilitet në Kosovë, Borrell paralajmëroi mundësinë e një takimi urgjent ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.
“Si hap i parë, pres që autoritetet e Kosovës t’i pezullojnë operacionet policore të fokusuara në ndërtesat komunale në veri të Kosovës dhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen. Kurse ne do të vazhdojmë angazhimin me dy liderët. BE-ja pret që të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri, e cila garanton paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe shtron rrugën për zbatimin e marrëveshjes për shtegun drejt normalizimit. Për këtë, po punoj që urgjentisht të organizoj një takim të nivelit të lartë”, tha Borrell.
I shqetësuar, ai vuri në pah rrezikun e konfliktit që, sipas tij, nuk guxon të ndodhë.
“Nga palët pritet të kontribuojnë për bashkëpunim rajonal të frytshëm dhe për siguri në Evropë dhe për të tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës. Ka mjaft dhunë. Ka pasur shumë dhunë. Kemi tepër dhunë në Evropë tashmë, nuk mund të lejojmë një tjetër konflikt. Shpresoj që zëri im do të dëgjohet dhe njerëzit do të veprojnë në pajtim me këto kërkesa”, tha Borrell.
Për shkak të situatës në veri, kryeministri Albin Kurti shtyu pjesëmarrjen në forumin e sigurisë në Bratislavë – GLOBSEC.
“Ka qenë e planifikuar që të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Në një reagim gjatë ditës, NATO-ja dënoi sulmin e paprovokuar në Zveçan, teksa kërkoi që të dyja palët të marrin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejmë të situatës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: