Policia e Kosovës ka nisur bastisjet në objektin në të cilin ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Deri tani katër persona janë arrestuar nga policia.
Policia e Kosovës, zyra për media ka njoftuar se aksioni po zhvillohet në tri komuna, dhe lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor i cili përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala tha më herët se aksioni është nisur pasi kanë marrë urdhër nga gjykata.
Bastisje në disa Agjenci Shtetërore, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare