Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është koha që shqiptarët të votojnë lirshëm, pa pengesa burokratike dhe pa presione politike, duke kërkuar votim dhe numërim elektronik.
Ai tha se votimi përmes shenjës së gishtit është i mundur dhe tashmë zbatohet edhe në shtete me sfida më të mëdha se Shqipëria.
“Shqiptarët, qytetarët e Republikës së Shqipërisë meritojnë të votojnë pa pengesa, pa gryka shishesh. Shqipëria ka një databazë biometrike të gjithë qytetarëve. Është plotësisht e mundur që një shqiptar kudo ku jeton – nga Australia, Kanadaja, Suedia apo edhe Greqia – të identifikohet thjesht dhe vetëm me shenjën e gishtit. Kjo shmang gjithë burokracinë dhe mundëson votim elektronik, numërim elektronik”, deklaroi Basha.
Sipas tij, qeveria po e kufizon të drejtën e diasporës për të votuar përmes një procesi selektiv dhe jotransparent.
“Qeveria është angazhuar në një proces selektiv në raport me diasporën. Vetëm një pjesë e vogël do të kenë mundësi të votojnë. Sistemi është jotransparent sepse ne vuajmë nga problematika të patronazhimit. Vjen dikush dhe u thotë: hajdeni këtu, mbushni këto fletë votimi, votoni për këtë parti, dhe hajt t’i postojmë. Sistemi që është vënë në funksion është një larje goje me premtimin akoma të pambajtur për votë të lirë e të pakushtëzuar për diasporën”, theksoi Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: