Disa banorë nga fshati Shipitullë të Obiliqit kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës lidhur me shpronësimin e tokave të tyre.
Njëri nga banorët e këtij fshati, Arsim Mjeku tha se KEK-u u ka marrë rreth 95 për qind të tokave, duke u lënë atyre vetëm 5 për qind shtëpi.
Si pasojë e kësaj, Mjeku tha se banorëve të Shipitullës nuk po u lejohet të ndërtojnë shtëpi apo të hapin biznese, duke u thënë se do të bëhet shpronësimi i këtij fshati tërësisht.
Ai shtoi se prej vitit 2004 janë të anashkaluar nga komuna, KEK-u dhe qeveria dhe se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh.
Tutje, Mjeku tha se KEK-u i ka marrë 16 shtëpi dhe ka lënë 50 të tjera, për çka edhe banorët po kërkojnë që të shpronësohen të gjitha.
Ai tha se nuk do të ndalen vetëm me protesta por do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi lidhur me këtë çështje.
“Ne jemi banorët e fshatit Shipitullë. Jemi ardhur sot t’i shprehim pakënaqësitë të fshatit Shipitullë lidhur me shpronësimin qe ka bërë KEK-u në fshatin Shipitullë, Komuna e Obiliqit. E ka marrë tokën 95 për qind, i ka lënë shtëpia veç 5 për qind. Prej 2004 ne banorët e fshatit Shipitullë jemi të anashkaluar nga Komuna, Qeveria, KEK-u. Nuk lejojnë të ndërtojmë shtëpi, nuk të lejojnë të bësh biznes, nuk lejojnë se gjoja do të bëhet shpronësimi i fshatit Shipitullë. Në vitin 2024 KEK-u ka marrë 95 për qind tokën, 5 për qind i ka lënë shtëpia. I ka marrë 16 shtëpi, i ka lënë 50. Ne kërkojmë “krejt dhe drejt” 50 shtëpi kanë mbetur, edhe ato të shpronësohen. Përndryshe ne nuk do të ndalemi me protesta deri sa të kërkojmë të drejtën tonë sepse jemi në të drejtën tonë dhe nuk kemi kah të shkojmë.
Edhe banori, Xhemil Mjekiqi tha se këto gjëra janë bërë me mashtrime, derisa potencoi se janë në hall.
Duke u shprehur i revoltuar për procesin e shpronësimit, ai shtoi se shumë shtëpi kanë mbetur pa ujë e rrymë.
“Ne jemi banorët e fshatit Shipitullë. Halle kemi kur është shpronësuar herën e parë… Do na ka rrokë e do s’na ka rrokë, ishte siç ishte puna… Herën e dytë kur për këtë 1 hektarë e 60 ari, kjo është bërë me njoftësi, me para…Nuk e di çfarë i thotë njeriu kësaj pune… Tokat ju kanë marrë e shtëpitë kanë mbetur pa ujë, pa rrymë, pa rrugë, pa ambulantë, pa shkollë. Ne jemi hallexhinj”, tha ai.
Banorët kanë vendosur banerë pranë ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës me mbishkrimin “Krejt dhe drejt nuk është kryeministër”.