Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar raportin e Bankës Botërore për Kosovën, i cili për dekadën e fundit e lavdëron Kosovën për të arriturat në sferën e ekonomisë.
Gjatë ditës, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka përdorur këtë raport për të thënë se “diskursi i VV-së që në Kosovë ka vetëm varfëri po del të jetë mashtrim”.
Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në anë të një komunikate e vlerëson raportin e Bankës Botërore.
Kanë përmendur disa raporte të Bankës Botërore që tregojnë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Më poshtë është komunikatë e plotë e Qeverisë së Kosovës:
”Në një komunikatë të lëshuar në fillim të kësaj jave, Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore, kanë thënë se ata mbështesin Kosovën në përshpejtimin e konkurrencës së saj për krijimin e vendeve të punës dhe standard më të lartë të jetesës”, thuhetb në komunikatë.
Sipas Bankës Botërore, brenda 10 viteve të fundit Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me një rritje prej afër 50% të të ardhurave për kokë banori dhe me një ulje prej 35% të shkallës së varfërisë, duke performuar më mirë sesa vendet me të ardhura të ngjashme për kokë banori.
Drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu është shprehur se Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i Ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin dhe gjeneratat e ardhshme.
Në vitin e kaluar, Kosova kishte shënuar vlerën më të lartë ndonjëherë të eksporteve, rreth 920 milionë euro. Ndërkaq këtë vit vlera e eksportit pritet që për herë të parë kalojë shumën prej 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import viteve të fundit ka shënuar përmirësim të dukshëm. Nga 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht.
I njëjti institucion, muajin e kaluar ka publikuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, në të cilin parashikon që Kosova do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tre vitet e ardhshme; 2023, 2024 dhe 2025.