Edhe pse në dy sezonet e fundit nuk ka arritur të sigurojë një vend në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, Ballkani vazhdon të mbetet një nga klubet më të dalluara në historinë e këtij kompeticioni.
Skuadra nga Suhareka shkroi historinë duke u bërë klubi i parë nga Kosova që u kualifikua në fazën e grupeve të një gare evropiane. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, “Xhebrailat” jo vetëm që siguruan rezultate historike, por fituan vlerësime edhe për lojën atraktive që shfaqën në arenën ndërkombëtare.
Sipas statistikave të publikuara nga Football Meets Data, Ballkani renditet në vendin e shtatë në listën e klubeve me më së shumti ndeshje të zhvilluara në historinë e Ligës së Konferencës. Klubi kosovar numëron 36 paraqitje, po aq sa edhe gjiganti zviceran Basel dhe Rapid Vienna nga Austria.
Në krye të kësaj renditjeje qëndron Fiorentina me 60 ndeshje, e ndjekur nga Gent me 56 dhe AZ Alkmaar me 54 paraqitje.
Megjithatë, aventura evropiane e Ballkanit u mbyll herët edhe këtë edicion. Skuadra u eliminua në raundet kualifikuese pas humbjes në penallti ndaj ekipit irlandez Bohemians, duke mbetur jashtë garës për një tjetër pjesëmarrje në fazën e grupeve.
Aktualisht, shpresat e futbollit kosovar për një tjetër sukses në Evropë mbeten te Drita. Kampionia e Kosovës ka siguruar një vend në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me Tre Fiori nga San Marino, me synimin për t’iu afruar edhe më shumë fazës së grupeve.





