Pas suksesit të turneut në Amerikën Latine, ku shfaqja “Carmina Burana” u interpretua gjashtë herë para sallave të mbushura, Baleti Kombëtar i Kosovës do të vazhdojë prezantimin e artit kosovar në skenën ndërkombëtare.
Më 15 korrik, trupa do të prezantojë shfaqjen “Terminal” në edicionin e 35-të të Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater Festival në Graz të Austrisë.
Më pas, më 18 dhe 20 korrik, “Carmina Burana” do të shfaqet në Romë dhe Lecce, duke shënuar edhe paraqitjen e parë të Baletit Kombëtar të Kosovës në kryeqytetin italian.
Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, tha se këto paraqitje dëshmojnë cilësinë e artistëve kosovarë dhe rolin e kulturës si urë bashkëpunimi dhe promovimi për Republikën e Kosovës, duke theksuar se ministria do të vazhdojë ta mbështesë prezantimin e artit dhe kulturës kosovare në arenën ndërkombëtare.





