Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale në sektorin e energjisë, duke akuzuar Qeverinë për mungesë transparence dhe heshtje të plotë përballë krizës që, sipas saj, po rëndon mbi qytetarët.
Në një postim në Facebook, ajo tha se aktualisht në Korporatën Energjetike të Kosovës, është funksional vetëm blloku A3 me kapacitet 110 megavatë, ndërsa akuzoi KOSTT-in për mospublikim të të dhënave ditore për ngarkesën.
Sipas saj, importi i energjisë po kushton mbi një milion euro në ditë dhe po realizohet përmes Serbisë.
Bajrami kërkoi hetim të plotë për të gjitha institucionet e përfshira në sektorin e energjisë dhe shprehu besimin se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj asaj që e cilësoi “mafia energjetike”.