12.2 C
Pristina
Tuesday, April 14, 2026

Bajqinovci e ka gati rrëfimin nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të Presidentit: Opozita fajtore

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, tha se nëse dështon zgjedhja e Presidentit “faji dhe turpi” do të jetë i opozitës.

Duke u përpjekur t’ia lë fajin opozitës, ai po ashtu përdori frazën “nëse opozita na çon në zgjedhje”, ndërsa nuk dha ndonjë përgjigje mbi përgjegjësinë e Vetëvendosjes për të dalë nga kjo situatë si grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Këtu ai përmendi ftesat e shefit të tij, Albin Kurti, për takime me partitë opozitare dhe kërkesat për dërgim të emrave.

Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje s’ka lëvizur nga propozimet e saj për President, dy anëtarët e saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

“Opozita duhet të reflektojë dhe jo vetëm të shkojë në takime, por edhe të ketë dëshirë të bëjë zgjidhje. E në këtë rast zgjidhja është të bëhet presidenti i Kosovës”.

Ai tha se opozita duhet të ketë “dëshirë” dhe jo të bëjë deklarata që “ne duhet të shkojmë në zgjedhje”.

“Kjo s’është e mirë sepse vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje për shkak se i ka institucionet stabile dhe nuk duhet populli të maltretohet çdo gjashtë muaj në zgjedhje”, tha ai për RTV 21.

I pyetur se në cilën parti këmbëngul më shumë Vetëvendosja për bashkëpunim, Bajqinovci, tha se nuk ka ndonjë parti politike opozitare që ka “kërkesë të bashkëpunojmë më shumë a më pak”.

“Iu kemi dërguar ftesa, por po shihni se shpesh ka deklarata se “vetëm zgjedhje dhe nuk ka tjetër”. Pra, nuk ka reflektim nga opozita”.

Bajqinovci gjithashtu e cilësoi si “absurde të shkohet në zgjedhje kur dihet se sapo kemi dalë me një rezultat prej 51.1% për Lëvizjen Vetëvendosje”.

I pyetur se me dy anëtarët partiakë të propozuar për pozitën e Presidentit, Vetëvendosje po synon të dështojë këtë proces, Bajqinovci sërish akuzoi opozitën.

“Ata nuk i kanë dërguar emrat. Faji dhe turpi është te opozita. Kërkimi i emrave është bërë publik disa herë”.

Megjithatë, ai tha se është i bindur se do të ketë zgjidhje sepse në të kundërtën opozita “e di” fatin e saj.

“Shumë i bindur jam që do të ketë zgjidhje për çështjen e Presidentit. Në bazë të asaj që po e shoh. Unë besoj se do të ketë reflektim, sepse nëse opozita na çon në zgjedhje dihet se cili do të jetë fati i tyre”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA