Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se mungesa e konstituimit të Kuvendit është sfidë për funksionimin e institucioneve, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarata Qelaj i bëri me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, e ku u organizua një takim me partnerët ndërkombëtarë. Aty ai ka vlerësuar punën dhe rolin kyç të këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Ai vuri në pah edhe sfidat, si mungesa e vullnetit politik për funksionalizimin e institucioneve.
“Një reflektim dhe një rekapitullim e krejt punës që ky institucion ka bërë me qëllim që të paraqesim para partnerëve ndërkombëtare. Nuk ka qenë e lehtë që sot me qenë institucioni i konsilidum bazuar në standardet më të avancuar të BE-së dhe një rol kyç në shtet ndërtim të Kosovës sa i përket respektimit të drejtave themelore të njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit ka pritur në zyrën e tij mbi 52 mijë qytetarë, ky është një tregues i jashtëzakonshëm sa i hapur ka qenë institucioni për të qenë afër shqetësimeve dhe probleme që kanë qytetarët e të gjithë etnive dhe komuniteteve. Janë 2 mijë e 300 rekomandime që janë dhënë autoriteteve publike që lidhen me avancimin respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Janë mbi 90 agjenci ndërkombëtare që e kanë mbështet Avokatin e Popullit. Sfidën më të madhe e kemi mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera”, ka thënë Qelaj.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Avio Orav, e cilësoi këtë përvjetor si një arritje të rëndësishme që pasqyron përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucionit si themel për besimin publik dhe partneritetin me BE-në.
“Ky moment shënon një arritje të rëndësishme, e cila pasqyron vite të tëra përkushtimi dhe profesionalizmi, të përqendruar në avancimin e shoqërisë, mbrojtjen e vlerave, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit të të gjithë qytetarëve. Kjo arritje na fton jo vetëm të festojmë, por edhe të reflektojmë mbi rrugëtimin e institucionit – një rrugë e formuar nga sukseset dhe sfidat. Ajo na jep gjithashtu mundësinë të njohim rolin thelbësor të institucionit në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Bashkimi Evropian i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, duke njohur rolin jetik të Institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen, monitorimin dhe promovimin e këtyre parimeve. Ruajtja e pavarësisë së tij është thelbësore për forcimin e besimit të publikut, siç pasqyrohet qartë edhe në sondazhet e vazhdueshme të opinionit. Kjo pavarësi mbetet një pjesë përbërëse e angazhimit tonë të përbashkët. Gjatë viteve të fundit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar qasjes së autoriteteve – veçanërisht të Kuvendit – ndaj çështjeve që lidhen me të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe me funksionimin e Institucionit të Avokatit të Popullit në veçanti, sidomos në dritën e zhvillimeve që lidhen me raportet vjetore të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.