Kanë kaluar më shumë se dy javë që prej inspektimeve që janë bërë në qumështoren ‘’VITA’’, nga ku, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë marrë mostra të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.
Edhe pse këto inspektime ndodhën në fillim të këtij muaji, AUV ende s’ka publikuar rezultatet. Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express, i është drejtuar me pyetje këtij institucioni.
Nga AUV, kanë deklaruar se procedura është ende në zhvillim, dhe se, e njëjta përfshinë më shumë se sa vetëm analizat laboratorike.
‘’Procedura e kontrollit zyrtar është ende në zhvillim dhe përfshin jo vetëm analizat laboratorike, por edhe vlerësimin e plotë të të gjitha provave dhe dokumentacionit përkatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi’’, thuhet në përgjigjen e AUV.
Tutje, shtohet se, raporti përfundimtar pritet të dorëzohet para afatit ligjor, nëse, shtohet në përgjigje, të gjitha analizat dhe verifikimet përfundojnë me kohë.
‘’Kam kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që procedura të përfundojë sa më shpejt. Sipas informacioneve që kam marrë nga Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-së, raporti përfundimtar pritet të dorëzohet para afatit ligjor, nëse të gjitha analizat dhe verifikimet përfundojnë me kohë. Menjëherë pas përfundimit të procedurës, rezultatet dhe masat e ndërmarra do të bëhen publike në mënyrë transparente’’, ka thënë për Express, Lamir Thaqi, zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente publike.





