Përgatiti: Benita Zeneli
Kodi penal parasheh dënimin maksimal prej 3 vjetësh për ata që ushtrojnë dhunë në familje.
Por, deri më tani në Kosovë asnjë rast i tillë nuk është dënuar me kaq vjet burgim.
Bazuar në këtë, në drejtim të institucioneve të drejtësisë u adresuan disa kritika e kërkesa.
“Edhe sot më duhet me zë të lartë të thërras institucionet që të adresojnë përgjegjësitë që kanë, të mos i neglizhojnë rastet e dhunës në familje dhe që të marrin veprimet në përputhje me legjislacionin në fuqi, në raport me këto raste”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ndërkohë, derisa foli për programin kombëtar për kryerësit e Dhunës ndaj Grave të hartuar nga MD-ja, Haxhiu theksoi se janë trajnuar 15 profesionistë, ndërkaq ky program mori lëvdata nga zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
“Mangësi që është vërejtur gjatë pilotimit është kohëzgjatja e ulët e dënimeve, pra dënimet e ulëta kanë bërë që gjatë kohës sa të dënuarit kanë qenë duke e ndjekur këtë program, kanë përfunduar dënimet e tyre dhe mendoj se kjo ka sjellë situatën që ata është dashur ta ndërpresin këtë program. Programi kombëtar për kryesit e dhunës ndaj grave nuk është përgjegjësi të zbatohet vetëm nga MD-ja. Fillimi i zbatimit efektiv nis pikërisht atëherë kur prokurori ose gjyqtari e integrojnë programin si pjesë të dënimit dhe kryesve të dhunës, duke e mbajtur përgjegjës për krimin e bërë dhe duke i dhënë dënimin e merituar”, tha Haxhiu.
“Është një program psiko-social që i mban kryesit përgjegjës për krimet që kanë kryer dhe i mëson ata që t’i ndalin këto sjellje të dhunshme dhe të ndërtojnë raporte të respektit të ndërsjellët. E shoh përkushtim tuaj për vlerat tona të përbashkëta dhe luftën kundër dhunës gjinore dhe grave dhe është privilegj të punojmë për ju…”, tha Tabkut Soykan, zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës.
Në nëntor të vitit 2023, ministria e Drejtësisë ka lansuar “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili u pilotua në Qendrën Korrektuese në Dubravë për 6 muaj.