Përgatiti: Benita Zeneli
Derisa qeveria aktuale po e përfundon mandatin ende nuk e ka miratuar Strategjinë kombëtare kundër korrupsionit.
Dhe pavarësisht që gjatë 2024-ës u iniciuan disa nisma ligjore, konsiderohet se viti kaloi pa rezultate në reformën për drejtësi dhe luftimin e korrupsionit.
Një tjetër problematik konsiderohet fakti që Kosova tash e dy vjet nuk ka kryeprokuror të shtetit.
“Sa i përket të dy këshillave, përkundër problemeve që vazhdon të ketë, KGJK-ja nuk mund t’i mohohet fakti se ka një avancim në kuptim të transparencës, derisa kjo nuk qëndron për KPK-në që edhe atje vazhdon mendësia korporatiste siç e ka thënë Komisioni i Venecias dhe vazhdojnë probleme të shumta në sistemin prokurorial të Kosovës dhe mund të themi se ka ndërtuar një kulturë të mos ndëshkimit brenda sistemit prokurorial”, tha Gëzim Shala nga IKD.
Njëkohësisht komentet negative të ekzekutivit karshi punës së prokurorive e gjykatave nuk munguan gjatë vitit që lamë pas.
“Kjo është për keqardhje për shkak kryeministri dhe qeveritarët, ministrat janë marrë shumë me sistemin e drejtësisë. Edhe shumë rëndë edhe për qytetarin dhe imazhin e sistemit e drejtësisë. Për shkak se kur një kryeministër, deputet shumë shpesh thonë se është një sistem i kalbur, unë mendoj se shumë më i mirë është sistemi i drejtësisë sesa sistemi ekzekutiv apo legjislativ”, tha ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.
“Prej fillimit të mandatit të kësaj qeverisje kemi pasur përplasje prokurori, gjykatë dhe qeveri, gjë e cila nuk është aspak e hijshme në publik. Sidomos ndërhyrja e ekzekutivit në punët e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk është e pranueshme për shkak se të tria janë pushtete të pavarura”, tha Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL.
Por, fajin për mungesë të reformës e largon nga ekzekutivi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Mendoj që problemin më të madh e kemi te nivelet e larta të sistemeve të drejtësisë, të cilat nuk dëshirojnë ndryshim të gjendjes sepse humbin pushtetin dhe ndikimin në sistem. Pra, të njëjtit nuk e kanë dashur reformën në drejtësi dhe e kanë kundërshtuar në vazhdimësi. Mendoj se kjo qasje ka qenë e gabuar, ne asnjëherë nuk kemi ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht në lëndët
që kanë pasur prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Haxhiu.
Ndërkohë Raporti i EULEX-it për monitorimin e sistemit të drejtësisë gjatë 2024 ka treguar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin. Në bazë të këtij raporti për institucionet e drejtësisë sfidë mbetet edhe produktivitet i seancave, ndërsa thuhet se paraburgimi po vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar.