Pas shkarkimit të Nevil Dedës, FC Ferizaj ka vepruar shpejt dhe ka emëruar një trajner të ri. Skuadra ka rikthyer legjendën e klubit, Arsim Abazin, i cili e kishte nisur sezonin në krye të ekipit.
Pas largimit të Dedës, drejtuesit e klubit ferizajas kanë vendosur që ta besojnë stolin Abazit, një trajner që e njeh mirë skuadrën dhe grupin e futbollistëve.
Në një njoftim të bërë nga FC Ferizaj, theksohet se ky rikthim është një vendim i shumëpritur dhe kërkuar fuqishëm nga tifozët. Abazi, që ka një lidhje të ngushtë me klubin dhe qytetin, do të drejtojë skuadrën në një periudhë sfiduese, duke synuar rezultate pozitive dhe stabilitet.
Ky rikthim nuk është vetëm një ndryshim në pankinë, por një mesazh për stabilitet dhe ambicie të mëdha. Tifozët kanë besuar gjithmonë në Abazin, dhe me të në krye, FC Ferizaj synon të rikthejë identitetin dhe frymën garuese, për të arritur objektivat e sezonit me më shumë motivim dhe siguri.






