Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas turk, i cili dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në zonën e Krushës dhe rrethinës së Prizrenit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas raportimeve të Klan Kosovës, i dyshuari dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në Masakrën e Krushës gjatë luftës në Kosovë.
I dyshuari është siguruar në Stacionin Policor në Prizren nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe më pas i është dorëzuar hetuesve të Hetuesisë së Veçantë, të cilët veprojnë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Rasti mësohet se po trajtohet nga Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, sipas burimeve të tjera, i dyshuari është paraqitur vetë në stacionin policor, pasi mbrëmë, gjatë një emisioni televiziv, emri i tij është përmendur si person që dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të kriminelit Arkan.





