Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se po transportonte substanca narkotike, pasi gjatë kontrollit të veturës që ai drejtonte janë gjetur dhe sekuestruar rreth 7 kilogramë marihuanë.
Arrestimi është realizuar më 9 shkurt 2026 në pikën kufitare në Merdarë, nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas një plani të paraprirë hetimor. Veturë e ndaluar kishte targa të huaja dhe drejtohej nga një mashkull kosovar.
Sipas Policisë, substanca e dyshuar narkotike ishte e ndarë në disa paketime dhe vlera e saj në treg vlerësohet rreth 35 mijë euro.
Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, është realizuar edhe kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të shumta materiale që ndërlidhen me rastin.
Tutje Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.








