Një 47-vjeçar me shtetësi kosovare është arrestuar në Ulqin, nën dyshimin se ka vjedhur në zonën e Plazhit të Madh dhe Plazhit të Vogël.
Policia malazeze tha se ndaj tij është lëshuar më herët një fletarrest lokal.
“Gjatë kontrollit të banesës që përdorte i dyshuari, policia gjeti një pjesë të sendeve të vjedhura nga raste të mëparshme, për të cilat dyshohet se janë marrë në territorin e Ulqinit. Po ashtu, u sekuestrua edhe një pako me lëndë narkotike të dyshuar si heroinë”, ka njoftuar Policia malazeze.
Hetimet paraprake tregojnë se G.R. dyshohet se ka kryer tri vjedhje në zonën e Plazhit të Madh dhe Plazhit të Vogël, duke u marrë qytetarëve para, telefona celularë, çelësa automjetesh, biçikleta, pije të shtrenjta alkoolike, cigare, si dhe sende të tjera personale.





