Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona për një grabitje të ndodhur më 3 shkurt në Prizren, ndërsa një i dyshuar tjetër vazhdon të jetë në arrati.
Sipas raportimeve, dy viktima një mashkull dhe një femër – kanë deklaruar se tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta i kanë kanosur dhe i kanë grabitur paratë që mbanin me vete.
Pas hetimeve, policia identifikoi katër të dyshuar. I dyshuari i parë u arrestua pranë një lokali, ku gjatë bastisjes iu gjet një armë në trup dhe një armë tjetër në automjet, si dhe maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.
Dy të dyshuarit e tjerë u arrestuan në një lokacion tjetër në Prizren. Në shtëpitë e tyre dhe në një lokal u gjetën prova shtesë. Dy nga të arrestuarit kanë pranuar kryerjen e veprës penale.
Të arrestuarit:
-
K.K. (20 vjeç)
-
Sh.G. (20 vjeç)
-
L.G. (36 vjeç)
Të tre janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit. I dyshuari i katërt, V.S., nuk është gjetur dhe vazhdon të jetë në arrati.
Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.






