Një veprim i koordinuar ndërkombëtarisht kundër rrjeteve të dyshuara të mashtrimit online dhe pastrimit të parave, që përfshinte edhe ofrues gjermanë të shërbimeve të pagesave, ka rezultuar me 18 të arrestuar, kanë njoftuar autoritetet gjermane të mërkurën.
Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë dhe prokurorët kanë bërë të ditur se midis viteve 2016 dhe 2021, të dyshuarit kishin përdorur të dhënat e kartave të kreditit të 4.3 milionë individëve nga 193 vende në skemën e tyre, duke grumbulluar fonde në vlerë mbi 300 milionë euro.
Të dyshuarit kishin përvetësuar para përmes abonimeve në faqet e internetit të rreme, të dizajnuara për transmetim, takime dhe argëtim.
Autoritetet kanë shtuar se të pandehurit kishin kompromentuar katër ofrues të mëdhenj gjermanë të shërbimeve të pagesave për të përpunuar pagesat, por emrat e kompanive nuk janë bërë të ditura.
Të martën vonë, autoritetet kanë kryer kontrolle në ndërtesa në Gjermani, Itali, Kanada, Luksemburg, Holandë, Singapor, Spanjë, SHBA dhe Qipro.
Prokurorët kanë thënë se fokusin e kanë pasur tek 44 të dyshuar në Gjermani dhe vende të tjera, përfshirë anëtarë të rrjetit të mashtrimit, punonjës të firmave të pagesave dhe ofrues të shërbimeve kriminale si shërbim.







