Armend Xhoxhaj kërkon fitoren e madhe ndaj Roman Fressit: “Nuk do të na duhen 12 raunde”

Boksieri kosovar Armend Xhoxhaj rikthehet në ring të shtunën për një tjetër përballje të rëndësishme ndaj gjermanit Roman Fress. Dy boksierët do të përballen për herë të tretë, në një duel që do të zhvillohet në Magdeburg të Gjermanisë.
Xhoxhaj synon ta mbyllë me fitore rivalitetin me Fressin, pasi përballjen e parë e kishte fituar boksieri kosovar, ndërsa dueli i dytë përfundoi me barazim kontrovers, rezultat që shkaktoi pakënaqësi te kampi i tij dhe tifozët e boksit.
Reklamë
Për këtë arsye, përballja e tretë, e cilësuar nga organizatori SES si “Finalja e Madhe”, pritet të jetë vendimtare për të dy boksierët.
Xhoxhaj është shprehur i bindur se këtë herë nuk do të ketë vend për barazim, duke paralajmëruar se mezi po e pret momentin për të hyrë në ring.
“Nuk do të ketë një tjetër barazim. Jam i sigurt për këtë. Mezi po pres të shtunën, për mua mund të fillojë që tani. Jam ende pak i zemëruar”, deklaroi boksieri kosovar.
Edhe trajneri i tij, Mete Alijaj, e bëri të qartë se objektivi i vetëm është fitorja, duke shpresuar që kësaj radhe gjithçka të vendoset në mënyrë të drejtë.
“Ky duel është për tifozët. Shpresoj të jetë një përballje e drejtë. Natyrisht, ishim të zhgënjyer me rezultatin e duelit të fundit. Armendi duhet të hyjë në ring dhe të fitojë”, u shpreh Alijaj.
Në anën tjetër, Roman Fress kërkon hakmarrjen për humbjen në duelin e parë. Boksieri gjerman, i cili renditet i pari në botë në kategorinë e tij sipas WBO-së, është përgatitur në Berlin dhe paralajmëron një qasje ndryshe në këtë përballje.
“Një barazim nuk i ndihmon askujt. Kam besim në veten time. Do t’i bëj të gjitha ndryshe”, deklaroi Fress.
Përballja e tretë mes Xhoxhajt dhe Fressit pritet të dhurojë emocione të mëdha, ndërsa boksieri kosovar ka lënë të kuptohet se nuk pret që dueli të zgjasë deri në 12 raunde.
“Nuk do të na duhen 12 raunde”, përfundoi Xhoxhaj, duke paralajmëruar një duel të fortë në Magdeburg.
Reklamë









